Juventus luan të dielën në mbrëmje (20:45) në transfertë ndaj Lecces. Bardhezinjtë e trajnerit Massimiliano Allegri synojnë fitoren e pestë radhazi në kampionat e në pritje të ndeshjes së Inter, do të tentojnë parakalimin ndaj zikaltërve në krye të renditjes.
Megjithatë, në konferencën e zakonshme për shtyp, Allegri theksoi sërish se objektivi i Juventus është rikthimi në Champions League ndërsa njoftoi edhe mungesën e dy titullarëve si Adrien Rabiot dhe Federico Chiesa.
“Nuk mund të flasim në këtë moment për titullin, i vetmi objektiv për momentin është që skuadra të mos pësojë gol ndaj Lecces. Duhet të fitojmë dhe të mbledhim pikët e nevojshme për t’u rikthyer në Champions League sezonin e ardhshëm. Pas ndeshjes së kaluar bëra një batutë mbi hajdutët dhe policët, mendoj se ishte argëtuese. E theksoj se objektivi ynë është të rikthehemi në Europë, Interi është favoritja për titullin.
Kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë, por ndaj Lecces kjo nuk ka rëndësi. Duhet të jemi të përqëndruar pasi rrezikojmë të shkatërrojmë sezonin. Në Leçe ndeshjet janë gjithnjë të komplikuara, ata zhvillojnë paraqitje të mira në shtëpi. Skuadra është mirë, por do të mungojnë Rabiot dhe Chiesa. Adrien ka një lodhje muskulore të pulpës që është diçka delikate, ndërsa Federicoka sërish probleme me gjurin. Kam tre sulmues në dispozicion, Vlahovic, Yildiz dhe Milik. Do të luajnë titullarë dy prej tyre”, u shpreh Allegri.