Lajme

Transferohen katër prokurorë nga prokuroritë tjera në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë

05/18/2024 07:31
nga:N K

Në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë transferuar përkohësisht katër prokurorë.

Kjo është bërë e dituar në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” nga kjo Prokurori.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se dy prokurorë janë transferuar nga Prokuroria e Apelit, një prokuror nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe një prokurore nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Prokuroria bën të ditur se prokurorët e transferuar kanë mandat të caktuar për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Një prokuror i Departamentit të Pëgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është i ngarkuar me mbi 1 mijë e 500 lëndë të natyrave të ndryshme, ndërsa në Departamentin për Krime të Rënda, një prokuror ka rreth 500 lëndë.

Prokuroria kishte njoftuar se numri i vogël i prokurorëve paraqet sfidë sidomos në Departamentin e Përgjithshëm, ku pavarësisht angazhimit maksimal të tyre, ata nuk kanë mundur t’i mbulojnë të gjitha rastet.

Po ashtu, Prokuroria kishte bërë të ditur se këto sfida janë adresuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe se është bërë kërkesë për transfer të prokurorëve nga Prokuroritë tjera.

Për shkak të mungesës së prokurorëve, 113 seanca kanë dështuar të mbahen në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në periudhën janar-mars 2024.