Alphonso Davies është një nga objektivat e Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm. Vetë 23-vjeçari i Bayern Munchen dhe kombëtares së Kanadasë, ëndërron që një ditë të luajë në “Santiago Bernabeu”.
Agjenti i tij, Nedal Huoseh e ka shprehur disa herë publikisht dëshirën e “raketës” së krahut të majtë për t’u bashkuar me “Los Blancos” në të ardhmen.
“Ka shumë klube të interesuara për Davies, sidomos nga Premier League. Jam i sigurt se Reali i Madridit mund të jetë një nga klubet që do të donte të nënshkruante me të…
Është normale që gjithë duan ta kenë pjesë të tyren një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë. Alphonso bisedon gjatë gjithë kohës me David Alaban. Kanë luajtur për tri vite te Bayerni, kanë shumë shoqëri me njëri-tjetrin.
Sigurisht që bisedat janë private, nuk m’i tregon as mua. Por jam i sigurt që Alaba do donte të luante përsëri në të njëjtin ekip me të”.
Davies ka vendosur të mos rinovojë kontratën me rekordmenët e futbollit gjerman. Që i përfundon në verën e vitit 2025.
Në lidhje me interesimin e Realit të Madridit dhe faktin që nuk ka bisedime për rinovimin, ka folur së fundmi Herbert Hainer. Presidenti i Bayern Munchen ka një mesazh të qartë për lojtarin dhe spanjollët.
“Davies është futbollisti ynë. Ai është pjesë e Bayern Munchen. Ka kontratë me ne deri në verën e vitit 2025”, theksoi shkurtimisht kreu i klubit bavarez.