Shkumbin Qormemeti është absolutisht një nga menaxherët më të suksesshëm shqiptar të futbollit.
Një e kaluar e bujshme me transferime të mëdha të kryera në Evropë, me një tjetër që ndodhi dje, ku me transferimin e Xhuliano Skukës, ai vendosi rekord absolut në shumën financiare të dalur nga kampionatet shqiptare.
Operacione si ai i Muriqit te Lazio, apo Guri te Ostende, Abazaj te Anderlecht apo Liridon Latifi te Pushkash Akademia në Hungari, janë disa nga transferimet që ka menaxhuar Qormemeti.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai dha detaje nga transferimi i Skukës tek skuadra e Metz në Francë.
“Skuka është një futbollist që ka dëshmuar potencialin e tij në Superioren e Shqipërisë, por edhe në kombëtare dhe në atë moment erdhen disa oferta. Metz është klubi ku ai mund të rritet më shumë, sepse ai flet gjuhën franceze dhe si për fatin e tij, ai ka jetuar poashtu në këtë qytet. Nuk ka ndonjë sekret për sukseset e arritura, vetëm puna dhe fati që duhet të jetë poashtu”, tha fillimisht Qormemeti.
Më pas, ai tregoi edhe disa informacione të tjera, fillimisht për shumën e transferimit të Skukës, ku tha se shkoi me parametra zero tek Partizani dhe u largua për 1.4 milionë euro.
“Puna jonë është që të lëvizim futbollistët, shpresojmë që të ketë edhe transferime tjera të mëdha. Me presidentin Gaz Demin, kisha një bashkëpunim super profesional dhe gjithashtu drejtorin gjeneral, Olsi Ramën, i cili njëkohësisht e solli vitin e kaluar Skukën me parametra zero dhe tashmë e mbushi arkën me 1.4 milionë euro. Merkatoja është e hapur dhe çdo gjë mund të ndodhë“, përfundoi menaxheri Qormemeti.
/GazetaBlic Sport/


