Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, në një konferencë për media, ka treguar se si kanë arritur të dyshuarit të përfitojnë para.
“Cak i hetimeve janë ish drejtori ekzekutiv i BKS’së dhe ish drejtori i departamentit të financave të BKS, të cilët duke i keqpërdorur autorizimet që iu kanë besuar nga BKS iu kanë mundësuar personave të ndryshme dhe vetvetes të bartin transaksione t ndryshme ku kanë arritur përfitime për vete dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha BKS’së. Po ashtu kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”, tha ai.
Kryeziu tha se kanë siguruar 166 transaksione, shuma më e vogël ka qenë 6800 euro ndërsa më e larta 68 mijë euro.
“Deri në këtë fazë kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 prej tyre kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse për përfaqësim si të autorizuar si përfaqësues të personave që më herët kanë pasë aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023, përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e mëhershme, 2016 2017. Po ashtu kanë aplikuar 141 transaksione tjera te persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshme. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6800 euro, ndërsa më e larta 68 mijë euro”, tha Kryeziu.


