Gjinekologia Gjina Zeqiri në një prononcim dhënë për GazetaBlic në lidhje me çështjen e infertilitetit mashkullor në Kosovë, ka treguar simptomat dhe trajtimin e tij.
Sipas saj shkaqet e infertilitetit mashkullor janë nga prodhimi i pamjaftueshëm apo funksioni jo adekuat i spermës dhe gjithashtu sipas saj varikocela është e pranishme në rreth 40% të gjinisë mashkullore.
“Infertiliteti shpesh perceptohet si një çështje femërore, infertiliteti mashkullor kontribuon në gati gjysmën e të gjitha rasteve të vështirësisë për arritjen e shtatzanisë. Infertiliteti mashkullor mund të shkaktohet nga prodhimi i pamjaftueshëm ose funksioni joadekuat i spermës, si dhe nga bllokimet në kanale që e pengojnë daljen e saj. Shkaku më i shpeshtë i prodhimit të zvogëluar të spermës është varikocela apo zgjerimi i venave të testikujve. Kështu që varikocela është e pranishme në rreth 40% të meshkujve me probleme të infertilitetit. Poashtu infeksionet siç është ai me virusin e shytave pas pubertetit, çrregullimet hormonale të hipofizës, sëmundjet gjenetike, anomalitë kromozomale, problemet imunologjike në të cilat mashkulli krijon antitrupa kundër spermës së vet, faktorët mjedisorë dhe stili i jetesës si konsumi i duhanit apo alkoholit, lëndimet dhe tumoret e testikujve, mungesa e dëshirës seksuale për shkak të depresionit ose përdorimit të ilaçeve, stresi, mbingrohja e testiseve, problemet kronike shëndetësore si dhe faktorë të tjerë si puberteti i hershëm apo i vonshëm mund të kontribuojnë në infertilitetin mashkullor”, tha ajo.
Çfarë mund të shkaktojë sterilitetin mashkullor?
“Sterilitetin mashkullor mund ta shkaktojne edhe hipogonadizmi hipogonadotropik, disfunksioni erektil ose çrregullimet koitale si derdhja retrograde, anejakulimi etj. Infertiliteti mashkullor rritet edhe si pasojë e moshës, ndotësve të mjedisit apo nga një stil jo i shëndoshë jetese”, tregon Zeqiri.
Gjinekologia tregon simptomat e infertilitetit mashkullor.
“Shenja kryesore e infertilitetit mashkullor është pamundësia për të konceptuar një fëmijë apo shterpësia dhe shpeshherë mund të mos ketë simptoma të tjera. Ndonëse mund të mos ketë shenja të dukshme të infertilitetit mashkullor, ka edhe disa shenja paralajmëruese për t’i marrur parasysh si: problemet me ejakulim, vëllimi shumë i ulët ose mungesa e spermës, vështirësitë në arritjen dhe mbajtjen e ereksionit, reduktimi i dëshirës seksuale ose humbja e libidos, zvogëlimi i qimeve të fytyrës ose trupit, infeksionet e përsëritura të frymëmarrjes, pamundësia për të nuhatur etj. Anomalitë fizike të tilla si testikujt e pazbritur, ënjtja, dhimbja, traumat apo operacionit në testikuj, mund të dëmtojnë prodhimin ose funksionin e spermës, duke ndikuar në fertilitetin e meshkujve”, deklaron ajo për GazetaBlic.
Zeqiri tregon diagnotifikimin e infertilitetit mashkullor.
“Analiza e spermës është një test kyç diagnostik për infertilitetin mashkullor, me ç’rast vlerësohen parametrat si koncentrimi, lëvizshmëria dhe morfologjia e spermatozoidëve. Rezultatet abnormale si koncentrimi i ulët, lëvizshmëria e dobët ose morfologjia jonormale janë indikatorët kryesorë që tregojnë për problemet e mundshme të fertilitetit mashkullor. Përveç spermogramit, diagnostifikimi i infertilitetit mashkullor bëhet edhe me ekzaminim fizik duke përfshirë historinë mjekësore si dhe me analiza të gjakut për të vlerësuar nivelin e hormoneve”, thekson ajo.
Si trajtohet infertiliteti mashkullor?
“Trajtimi përfshin intervenimet kirurgjikale për të korrigjuar ose riparuar anomalitë anatomike ose dëmtimet e organeve riprodhuese të mashkullit e në disa raste përdoren procedura mjekësore në testise për nxjerrjen e spermës me qëllim të fekondimit të vezëve të gruas në laborator. E nëse asnjëra nga këto metoda nuk ka sukses, atëherë me pëlqim të çiftit e me qëllim të arritjes së shtatzënisë përmes IUI apo IVF-it, mund të përdoret një palë e tretë për dhurimin e spermës. Kurse njohja e shenjave të hershme të problemeve të mundshme të fertilitetit tek meshkujt është thelbësore për vlerësimin dhe ndërhyrjen proaktive. Ndërsa përjetimi i një ose më shumë prej këtyre shenjave nuk do të thotë domosdoshmërisht infertilitet, andaj në këto raste është thelbësore që të konsultoheni me një subspecialist për fertilitetit. Dihet se hapi themelor dhe fillestar kur kemi të bëjmë me infertilitetin e një çifti është analiza e spermës. Pra, partneri i parë që në këtë rast duhet të trajtohet është mashkulli. Mirëpo, fatkeqësisht ka akoma kosovarë që nuk pranojnë ta bëjnë këtë analizë kaq të thjeshtë, por preferojnë që të trajtohet vetëm gruaja. Apo analizën e spermës e kryejnë tek pas shumë lutjeve të bashkëshortes dhe rekomandimeve të përsëritura të mjekut. Por ka edhe kosovarë që pa problem pranojnë ta bëjnë spermogramin për ta verifikuar se cili partner është shkaktar i infertilitetit, ashtu që gruaja të mos iu nënshtrohet pa nevojë analizave të shumta diagnostifikuese”, përfundoi Gjina Zeqiri. /GazetaBlic/