400 ekstremistë serbë po trajnohen pranë kufirit me Kosovën.
Kështu ka deklaruar ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, derisa ka ngritur alarmin për sulme nga Serbia ndaj Kosovës.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri.
Ai thekson se ekstremistët po inkurajohen nga mosveprimi i ndërkombëtarëve dhe ata po përgatiten pas sulmit në Banjskë, pasi s’pati pasoja ndaj Serbisë.
“Trajnimet e ekstremistëve serbë në kufirin me Kosovën inkurajohen nga mosveprimi i bashkësisë ndërkombëtare. Ekstremistët serbë janë në përgatitje, veçanërisht pas sulmit në Banjskë nga terroristët e Vuqiçit, ku u vra polici i Republikës së Kosovës, pas të cilit nuk pati pasoja për Serbinë, përveç një rezolute nga Bashkimi Evropian”, vlerëson Bajqinovci.
Sipas tij, situata e ka inkurajuar Vuçiqin për sulme të reja, duke shtuar se Qeveria e Kosovës është e përgatitur për çdo sulm të mundshëm nga Serbia.
“Kjo situatë ka inkurajuar presidentin Vuçiq të planifikojë sulme të reja. Qeveria e Kosovës është më e përgatitur se kurrë për të përgjigjur ndaj çdo sulmi të mundshëm terrorist nga ana e Serbisë”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/


