Donjeta Sadiku, boksierja medaliste e bronztë e Evropës dhe botës zyrtarisht nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis sot në New Delhi të Indisë.
Sadiku fillimisht kishte probleme me pajisje me vizë nga shteti mikpritës i kompeticionit, teksa pasi iu aprovua viza – dolën probleme më të mëdha të cilat janë aspak sportive, por puro politike.
Federata e Boksit të Indisë kërkoi që Donjeta Sadiku të merrte pjesë pa asnjë simbol të shtetit tonë, teksa në rast fitores së ndonjë medalje të mos intonohet as himni, gjë e cila i shkel të gjitha rregullat sportive dhe kalon normalitetin.
Trajnerja e Sadikut, Marjola Sallauka tha për ‘GazetaBlic Sport’ se një vendim i tillë është shumë zhgënjyes dhe se kjo nuk është hera e parë që kjo gjë i ndodh asaj.
“Kjo është hera e tretë që Donjeta përballet me këtë padrejtësi, që shteti indian i mohon të drejtën e pjesëmarrjes. Deri dje nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Jashtme e Indisë, dje kemi marrë një përgjigje me shkrim, ku kanë miratuar vizat, por me kushtet që gjatë ceremonisë të mos përdoret flamuri i Kosovës dhe himni kombëtar dhe që nuk duhet të mbajmë as flamurin në veshjet tona”, tha fillimisht ajo.
Më pas, Sallauka tha se ky vendim e ka zhgënjyer shumë boksieren Sadiku, duke qenë shumë e përgatitur dhe e motivuar për sfidat e këtij Kampionati Botëror.
“Është një zhgënjim i madh, sidomos për Donjetën, e cila ishte shumë e motivuar në fazën përgatitore dhe shpresuam për pjesëmarrjen deri në momentet e fundit. Nuk është e mundur dhe nuk është e drejtë që politikat shtetërore të ndikojnë në sport. Organizatat sportive duhet të krijojnë mundësi për konkurrencë të barabartë për të gjithë sportistët dhe jo t’u japin mundësi të organizimit të kampionateve disa vendeve që bëjnë dallime për çështje politike“, përfundoi Sallauka.
/GazetaBlic Sport/