Sezoni 2022/23 i Ligës së Parë të Kosovës ka përfunduar dhe ekipet kanë kuptuar fatin e tyre për edicionin e ardhshëm.
Fushë Kosova dhe Feronikeli 74 janë dy skuadrat që kanë siguruar promovimin në Superligën e Kosovës, ndërsa Ulpiana dhe Liria do të luftojnë në barazh për një mundësi për t’u promovuar në ligën elitare të Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.
Trajneri i Ulpianës, Emin Bajrami ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ për të përshkruar sezonin e skuadrës së tij dhe për ndeshjet tejet të rëndësishme ndaj Lirisë.
Bajrami tha se kjo ndeshje do jetë shumë e vështirë për skuadrën e tij pasi Liria siç thotë ai ka treguar lojë të mirë dhe është ekip me traditë.
“Është ndeshje e vështirë ndeshje finale. Liria është një ekip i madh me traditë të cilin do ta respektojmë shumë. Do të kemi çasje shumë serioze pasi janë ekip që kanë treguar lojë të mira, megjithatë edhe skuadra jonë është një skuadër e fortë dhe e përgaditur kështuqë do japim maksimumin për ta fituar duelin. Shpresoj që referimi të jetë shumë korrekt pasi është një lojë me peshë ku do përcaktohet se kush do ta luajë ndeshjen tjetër të barazhit për promovim në Superligë”, tha fillimisht Emin Bajrami.
Trajneri i Ulpianës u pyet nëse ka preferencë për kundërshtarin e barazhit nga Superliga në rast se kalohet sfida ndaj Lirisë, por Bajrami tha se fillimisht do fokusohen te dueli që kanë përpara.
“Si Trepça ’89 ashtu edhe Ferizaj kanë treguar lojë të mirë në Superligë. Janë dy klube me traditë të madhe, për ne nuk është me rëndësi se kush do jetë kundërshtari i ardhshëm, ne do fokusohemi në lojën e parë ndaj Lirisë dhe do shpresojmë që ta kalojmë fillimisht këtë pastaj do mendojmë për kundërshtarin tjetër”, përfundoi Bajrami për ‘GazetaBlic Sport’.


