Sporti

Trajneri i Shkëndijës: Kemi punuar me seriozitet, do të japim më të mirën ndaj TNS

07/07/2025 22:16
nga:Lorik J

Trajneri i Shkëndijës Beqiri dhe kapiteni Ibraimi kanë folur para mediave për ndeshjen e të martës me The New Saints FC nga Uellsi.

Kuqezinjtë të martën nga ora 20:00 sipas kohës sonë lokale do përballen me kampionin e Uellsit në ndeshjen e parë të raundit të parë të eliminatoreve të UEFA Champions League. Pak para seancës zyrtare stërvitore në “Park Hall Stadium”, trajneri Jeton Beqiri foli para mediave për pritjet e ekipit nga kjo përballje.

“Jemi të gatshëm në maksimum për tu përballur me kundërshtarin e nesërm. Nga fillimi i fazës përgatitore kemi punuar me shumë seriozitet dhe pas shortit jemi përgatitur për përballjen e nesërme. Besoj se skuadra dhe futbollistët do të japin më të mirën nesër”, tha fillimisht Beqiri.

“Besoj i kemi analizuar mirë, kanë pasur edhe ndeshje jo zyrtare të cilat kryesisht janë filmuar me kamera jo profesionale. Por besoj se kemi arritur të marrim informacionet e duhura. Kanë tre apo katër ndryshime në skuadër, kryesisht është një formacion që standard e përdorin. Shpresoj që tu kemi dhënë informacione të mjaftueshme dhe të sakta futbollistëve nga të cilës pres nesër të japin maksimumin dhe të dalim me rezultat pozitiv”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport