Sporti

Trajneri i Rumanisë e vlerëson si kundërshtar të vështirë Kosovën, por thotë se do të kualifikohet në Euro 2024

09/11/2023 14:41
nga:G C

Rumania dhe Kosova do të përballen të martën mbrëma në Bukuresht në ndeshjen më të rëndësishme të tyre për kualifikueset e Euro 2024.

Rumunët aktualisht janë të dytët në tabelë me nëntë pikë pas pesë ndeshjeve dhe kanë plot pesë pikë më shumë se Dardanët.

Megjithatë kjo ndeshje pritet të jetë vendimtare sidomos për Kosovën, ku vetëm fitorja e mbanë në garë për kualifikim.

Trajneri i Rumanisë, Edi Iordanescu është i bindur se përfaqësuesja që ai udhëheq mund ta mposht Kosovën dhe do të shkoj në Kampionatin Evropian, ‘Euro 2024’.

“Jemi para një momenti të rëndësishëm, një ndeshje të rëndësishme për renditjen në tabelë dhe objektivin që e kemi. Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi, por besoj se do të reagojmë”.

“Unë jam jashtëzakonisht realist dhe e pranoj realitetin, kështu që, duhet të rrisim nivelin tonë të lojë duke u nisur nga ndeshja me Kosovën”.

“Ne jemi në garë për kualifikim në evropian. Jemi në pozitën e dytë dhe të pamposhtur pas pesë ndeshjeve të luajtura. Po ashtu, kemi edhe mbrojtjen më të mirë. Do të vazhdojmë tutje me vetëbesim dhe këtë e pres në ndeshjen e radhës”, deklaroi Iordanescu.

Trajneri rumun ka thënë se ndaj Kosovës është shumë vështirë, por ai ka pranuar se do të bëj edhe ndryshime në formacion.

“Ndryshime në formacion, padyshim se do të ketë. Nuk e di sa ndryshime, por ato do t’i shihni para ndeshjes. Kemi nevojë për energji, të vrapojmë dhe të fitojmë duelet. Na pret një ndeshje shumë e vështirë për shkak se Kosova ka lojtarë në pesë ligat më të forta të Evropës dhe vjen këtu për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim”, tha Iordanescu.