Lajme

Trajneri i Prishtinës: Kjo është marre për futbollin e Kosovës, ne meritonim më shumë respekt

04/13/2022 16:20
nga:Mergim Rreci

Llapi është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës.

Skuadra nga Podujeva ka triumfuar me rezultat 2 me 0 ndaj Prishtinës, duke e përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë, shkruan GazetaBlic Sport.

Rezultati i përgjithshëm nga dy takimet ishte 3 me 2 në të mirë të Llapit.

Da Silva dhe Rivera shënuan golat në këtë takim. Llapi do të takohet me Dritën në finalen e madhe, atje ku kërkon që ta fitojë trofeun për të dytin vit rresht.

Shumë i pakënaqur pas ndeshjes ishte trajneri i Prishtinës, Abdulah Ibrakovic.

“Ishte një ndeshje ku më së paku kishte futboll, kjo është marre për futbollin e Kosovës. Nuk e prisnim që kjo të na ndodhte sot këtu, meritonim më shumë respekt. Sa i përket lojës, ne u përpoqëm të bënim diçka më shumë, por nuk e kuptoi se si çdo kontakt me futbollistët e Llapit është vlerësuar si i parregullt. Besoj se futbollistët e mi do ta kalojnë shumë shpejt këtë situatë”, tha trajneri.

/GazetaBlic Sport/