Sporti

Trajneri i njohur kosovar, Gazmend Haliti: Mbrëmë dështoi Alain Giresse, moralisht duhet të jap dorëheqje

03/29/2023 10:16
nga:L J

Kombëtarja e Kosovës në futboll dje dështoi keq në shtëpi ndaj Andorrës në ndeshjen kualifikuese për kampionatin evropian, Euro2024.

Kosova e udhëhequr nga francezi, Alain Giresse mori veç një barazim 1-1 ndaj Andorrës autsajdere në grupin tonë, shkruan GazetaBlic Sport.

Trajneri i njohur kosovar, Gazmend Haliti ka theksuar se në këtë ballafaqim fajtori kryesor që kombëtarja ynë nuk mori tre pikët ishte trajneri, Alain Giresse.

“Kundër një kundërshtari që mbrohet taktikisht, një trajner i mirë duhet të gjejë zgjidhjen, mendoj se përgjegjësinë e ka trajneri, i cili duhet që moralisht të jap dorëheqje”, tha fillimisht Gazmend Haliti për ‘GazetaBlic Sport’.

Haliti thotë se Kosova ka lojtarë shumë të mirë – por dështuam taktikisht – si pasojë e trajnerit.

“Mendoj se kemi ekip shumë të mirë, në këto dy ndeshje është dasht t’i fitojmë gjashtë pikë, një trajner i mirë e ndërton lojën, mendoj se taktikisht kemi dështuar dhe fajtor është trajneri”, vazhdoi ai.

Më tutje, Gazmend Haliti shton se Kosovës i duhet një trajner vendor tani dhe të përmirësohemi – sepse ka shumë cilësi brenda grupit.

“Shkarkimi i trajnerit duhet dhe mendoj se tashmë kombetarën e Kosovës duhet ta drejtojë një trajner nga Kosova, i humbëm 4 pikë, tashmë do jetë shumë vështirë, por shpresoj me ndryshime në shtabin teknik mund të përmirësohemi, sepse kemi shumë cilësi”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport