Sporti

Trajneri i Newcastle: I urojmë gjithë të mirat Ronaldos, nuk ka asnjë të vërtetë për transferimin e tij tek klubi ynë

01/04/2023 10:51
nga:Lorik J

Cristiano Ronaldo nuk ka filluar ende aventurën në Al Nassr dhe tashmë ka pasur raportime për largimin e tij nga klubi. Mediat spanjolle kanë raportuar kështu një klauzolë të dyshuar të fshehur në kontratën e tij sipas së cilës ai mund të kthehet në Premier League, si lojtar i Al Nassr në huazim te Newcastle. Këtë e ka mohuar trajneri i skuadrës angleze, Eddie Howe.

Dihet se në dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester United, Ronaldo ishte në kërkim të një klubi ku mund të luante në Champions League. Newcastle, pronarët e të cilit janë gjithashtu nga Arabia Saudite, aktualisht është në vendin e tretë në kampionatin anglez, gjë që u garanton atyre një vend në kompeticion sezonin e ardhshëm nëse mbajnë këtë pozitë, përcjell GazetaBlic Sport.

“I urojmë Cristianos të gjitha të mirat në sfidën e tij të re. Nuk ka asnjë të vërtetë në atë që thuhet, të paktën nga ana jonë”, tha Howe.

Në prezantimin në Al Nassr, Ronaldo theksoi se “puna e tij në Evropë ka përfunduar” dhe shtoi se ai luajti atje “për klubet më të mëdha” dhe “fitoi gjithçka”.

/GazetaBlic Sport