Sporti

Trajneri i kombëtares së Rumanisë pas shortit të Ligës së Kombeve: Objektivi ynë është vendi i parë!

02/08/2024 19:31
nga:Lorik J

Edi Iordanescu, trajneri i Rumanisë ka dhënë reagimin e parë për grupin e kombëtares së tij në Ligën e Kombeve.

“Trikolorët” do të takohen me Kosovën, Qipron dhe Lituaninë/Gjibraltarin në Grupin 2 të Ligës C.

Sipas trajnerit të ekipit kombëtar të Rumanisë ende është herët të diskutohet për këto ndeshje, pasi gjithçka mund të ndodhë deri në shtator.

“Është e parakohshme të rrezikosh tani në analizat për kundërshtarët. Ka kohë, një periudhë ku do bëhen transferime në verë që mund të ndryshojë situatën e shumë lojtarëve, si nga kombëtarja jonë ashtu edhe nga kundërshtarët. Ka shumë rëndësi si djemtë tanë do të luajnë deri në vjeshtë, por edhe futbollistët e rivalëve tanë në grup. Një gjë është e sigurt, objektivi i Rumanisë duhet të jetë vendi i parë dhe kjo aq më tepër pasi po flasim për një shans të rëndësishëm, për një kualifikim të mundshëm në play-off për Botërorin 2026”, Edi Iordanescu për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Rumanisë.

Ai potencon se fokusi kryesor i Rumanisë është EURO2024 dhe asgjë tjetër momentalisht.

“Deri atëherë, megjithatë, fokusi ynë maksimal është te EURO 2024 dhe çfarë do të thotë t’i qasemi në mënyrë optimale turneut final. Nga situata shqetësuese që kanë disa lojtarë të rëndësishëm të kombëtares sonë në klubet e tyre, deri te ndeshjet miqësore të planifikuara në mars, vëmendja e plotë është në këtë drejtim. Çdo diskutim i mëtejshëm është me të vërtetë i kotë tani. Ka kohë për çdo gjë, është e rëndësishme të përpiqemi të zgjidhim prioritetet”, tha gjithashtu Iordănescu.