Sporti

Trajneri i grupmoshave, Bakaj për listën e kombëtares U-17: Nuk jam i kënaqur, lojtarët e ftuar janë vetëm nga një apo dy regjione!

04/07/2021 18:43
nga:Lorik J

Përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arsim Abazi e ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet miqësore kundër Bullgarisë U17 në Sofje.

Këto dy ndeshje do të zhvillohen më 14 e 16 prill, derisa në lista e futbollistëve është e bazuar kryesisht me lojtarë nga klubet vendore.

Por me listën e lojtarëve të ftuar nuk janë të kënaqur të gjithë trajnerët e grupmoshave në Kosovë.

Bekim Bakaj, trajner i grupmoshave tek FC Prizreni thotë që është i zhgënjyer me listën e lojtarëve të grumbulluar nga kombëtarja e Kosovës U-17, pasi futbollistët kryesisht janë nga një apo dy regjione.

“Unë s’po di si po zgjedhen këta futbollistë. Me të thënë të drejtën nuk i njoh shumë këta lojtarë të ftuar edhe nuk mundem të them që janë të mirë, por as jo të mirë, që të jem realist”, tha fillimisht Bakaj për ‘GazetaBlic Sport’.

“Por, mund të them se jam i paknaqur kur shikoj listën, sepse lojtarët e ftuar janë vetëm nga një regjion, apo dy. Është dashtë të bëhen grumbullime paraprakisht nga të gjitha regjionet që mos t’i hyjnë ne hak asnjë klubi dhe lojtarëve. Ka lojtarë shumë cilësor nëpër të gjitha regjionet ku bëjnë garat U-17”, vazhdoi ai.

Bakaj thotë se lojtarët janë mjaft të dëshpëruar, pasi nuk po kanë mundësi të tregojnë vlerat e tyre, ndërsa përmend dy lojtarë që ai mendon se duhet të ishin në këtë listë.

“Këtu kemi problemin më të madh sidomos me lojtarë cilësor që kemi në ato grupmosha dhe janë të dëshpëruar kur po i shohin që në lista janë të ftuar vetëm lojtarë të dy regjioneve. As nuk po i jipet mundësia në ndonjë grumbullim të tregojnë vlerat e tyre. Nuk e di a i percjellin lojtarët në garat U-17”.

“Të them të drejtën po nisem unë nga klubi im, i kam dy lojtarë 16 vjeçar dhe të dy janë shumë cilësor dhe luajnë në ekipin senior me leje speciale të mjekut. Ata janë Andi Sadriu, qendërsulmues, 1.91cm dhe Lirigzon Elshani, qendërmbrojtes, 1.87cm”, përfundoi ai.

Vlen të potencohet se Andi Sadriu dhe Lirigzon Elshani kanë pranuar ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë U-17 për ndeshjet e radhës, pasi nuk u ftuan në kombëtaren e Kosovës, por që ende s’e kanë pranuar ftesën e kombëtares ‘Kuq e Zi’, pasi ishin në pritje të ‘Dardanëve’.

/GazetaBlic Sport