Sporti

Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala beson që klubi i tij do promovohet në Superligë: Kemi grup të ri dhe të etur për sukses

01/02/2023 16:18
nga:E K

KF Fushë Kosova ka zhvilluar një gjysmë sezoni të mrekullueshëm në Ligën e Parë të Kosovës në grupin B duke u shpallur kështu edhe kampion vjeshtor.

Padyshim që një nga më meritorët e kësaj forme është edhe trajneri, Burim Shala i cili ka udhëhequr ekipin në 9 fitore, 4 barazime duke pësuar kështu vetëm një humbje gjatë sesionit vjeshtor.

Shala që prinë grupin B të Ligës së Parë të Kosovës me Fushë Kosovën me katër pikë dallim nga vendi i dytë Ulpiana, ka folur për GazetaBlic Sport ku ka treguar synimet e tij me klubin për vitin 2023.

“Në aspektin personal viti 2022 ishte një vit i shkëlqyeshëm me performancë shumë të mirë ku me një grup pa ndonjë investim të madh me ata lojtarë që kishim në dispozicion kemi arritë të tregojmë lojëra shumë të mira.Si meritë e lojës grupore kemi këtë sukses ku me shumë meritë jemi në vendin e pare”, tha fillimisht Shala për GazetaBlic Sport.

Shala ka treguar se kishte besim që nga fillimi që lojtarët që i drejton do të kenë sukses dhe sipas tij fakti se mbyllën sesionin vjeshtor si kampion nuk ishte aspak e papritur për të.

“Kam pas bindjen e plotë që do të jem në dy vendet e para që të jemi konkurrentë për Superligë, por normalisht nuk mund të parashikohet në fillim se në cilin vend do përfundosh në të parin apo të dytin, por e dija se do ishim aty afër dhe synimi ynë gjithmonë ka qenë Superliga, jam munduar që ta bind grupin që përpos se të jemi kampion vjeshtor të shpallemi kampion edhe në fund të kampionatit”, shtoi Shala.

Trajneri i Fushë Kosovës tregon se vitin 2022 ishte një vit i suksesshëm me shumë momente të mira, por ai dallon ndeshjet e fundit ku ekipi i tij ka një seri të mirë të fitoreve duke veçuar ndeshjen ndaj Ulpianës si një nga momentet më të mira të këtij viti.

“Momentet më të mira ishin këto lojët e fundit që arritëm një seri të mirë të fitoreve, sidomos ndeshja direkte për vend të parë në Ulpianë ka qenë momenti më i mirë që të ngritim besimin dhe moralin te e gjithë ekipi, besoj se jemi një ekip i padiskutueshëm për vendin e parë”, vazhdoi ai.

Burim Shala është i bindur që viti i ardhshëm do të jetë viti që klubi i tij do promovohet në Superligë dhe beson që lojtarët do jenë në gjendje ta mbajnë ritmin e tanishëm duke përmendur që do të ketë edhe 2 deri 3 përforcime gjatë afatit kalimtar.

“Jam i sigurt për këtë gjë. Jemi duke biseduar edhe për tri prurje të reja që mund të na shërbejnë për këtë qëllim, kështu që jam i sigurt që viti tjetër do na gjejë në Superligë”, deklaroi trajneri i Fushë Kosovës.

Shala pikën më të fortë të ekipit e sheh punën në skuadër duke potencuar që të gjithë kryejnë detyrat e tyre të cilat u caktohen.

“Fushë Kosovën e dallon një grup shumë i fortë, kemi një atmosferë të re të gjithë lojtarët luftojnë që grupi të ecën përpara nuk bazohet loja në aspektin personal, por në lojë ekipore”, përfundoi për GazetaBlic Sport, trajneri, Burim Shala.