Feyenoordi dhe Drita nesër do ta luajnë duelin kthyes në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Konferencës.
Para kësaj përballje në një konferencë për media ka folur trajneri i ekipit holandez, Arne Slot.
Ai e ka ‘kërcënuar’ skuadrën e Dritës, pasi ka thënë se nesër ata do të fitojnë, duke shtuar me pas se në sulem duhet të bëjnë më mirë për ta mposhtur ekipin kosovar.
“Ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje, ne e dimë këtë më mirë se kushdo. Çdo rezultat tjetër nuk është i mirë. Ne vetë nuk e marrim parasysh që aventura evropiane të përfundojë nesër, sepse jemi plot besim. Sidomos në sulm do të duhet të jetë më mirë për të mposhtur këtë ekip. Topi duhet të lëvizë më shpejt nga njëra anë në tjetrën”, deklaroi Slot.
Me pas tekniku holandez theksoi se në sfidën e parë të zhvilluar në Kosovë kishin krijuar pak raste.
“Në Kosovë, për shembull, kemi krijuar shumë pak, por dhamë pak. Kundër PAOK krijuam më shumë mundësi, por i lëshuam shanset shumë lehtë. Në çdo rast, duhet të jetë më mirë se javën e kaluar në Kosovë”, është shprehur trajneri i Feyenoordit.
Ndeshja e parë mes Dritës dhe Feyenoordit e luajtur në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0-0.
Dueli kthyese mes ekipit holandez dhe atij kosovar do të luhet të enjten nga ora 20:00 në stadiumin ‘De Kuip’ në Roterdam të Holandës


