Sporti

Trajneri i Elbasanit: Fitorja, dedikim për Erjon Vishkullin

10/28/2026 21:19
nga:L J

Elbasani mori një fitore spektakolare kundër Partizanit në javën e 9-të të Abissnet Superiore, me rezultatin 2 – 1 dhe përmbysje. Kjo ishte fitorja e parë në “timonin” e verdhebluve për trajnerin Glen Daja, i cili foli për mediat pas ndeshjes:

“Së pari, kam një dedikim special. Këtë fitore, në emër të të gjithë klubit, ia dedikoj Erjonit, tifozit tonë. I urojmë një shërim të shpejtë dhe fitorja është për të.

Pjesa e parë nuk shkoi mirë, për sa i përket vendosjes së lojtarëve në fushë, mënyrës se si e kërkonin topin dhe zonave ku e kërkonin. Nuk kishin të njëjtën dëshirë si në ndeshjen me Durrësin. Në pjesën e dytë, çunat u transformuan. Jam i kënaqur për tri pikët, por absolutisht jo me lojën.

Për shkak të manovrës së Partizanit, pasi kishin lojtarë në gjysmëhapësira dhe lojtarët tanë ishin një linjë më poshtë, nuk ishim në vendin e duhur. Bëmë më mirë në pjesën e dytë, por kryem një gabim taktik, pasi humbëm ekuilibrat, dhe kjo nuk i falet një ekipi profesionist. Siç e thashë, kemi shumë punë për të bërë.

Nuk është se nuk e administruam topin, por e bëmë këtë më shumë horizontalisht dhe jo vertikalisht. Na mungoi loja në hapësirat boshe, jo cilësia e lojtarëve.

Duke qenë se kundërshtari qëndronte shumë i ngjeshur mbrapa, kishim vështirësi në pasimet vertikale. Më pas, lojtarët duhet të sulmojnë më mirë hapësirat boshe.”