Sporti

Trajneri i Dortmund i jep shpresa Milanit: Kemi gjithë motivin për ta mposhtur PSG-në

12/12/2023 14:59
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic, siguron që skuadra e Bundesligës ka të gjithë motivin për të mposhtur PSG-në në shtëpi të mërkurën, duke i ofruar Milanit një shans për t’u kualifikuar në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve.

Gjigantët e Serisë A duhet të mposhtin Newcastle në St. James’ Park të mërkurën, por për t’u kualifikuar në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, ata duhet të shpresojnë që Borussia Dortmund të fitojë edhe kundër PSG-së, përcjell GazetaBlic Sport.

“Ne luajmë kundër PSG-së para një stadiumi të plotë. Ky është i gjithë motivimi që na nevojitet për të shkuar për fitore”, tha Terzic në një konferencë për shtyp para ndeshjes, cituar nga Reuters.

“Ne e dimë se çfarë cilësish kanë ata si skuadër, por kemi parë edhe problemet e tyre në mbrojtje në ndeshjet jashtë fushe. Nëse jemi të guximshëm dhe kemi një nivel intensiteti në lojën tonë, mund t’i shkaktojmë ndonjë problem kundërshtarit.”

“Ata (PSG) e dinë se duhet të fitojnë këtu për të siguruar vendin e tyre (në raundin tjetër) dhe ata gjithashtu e dinë që ne duam ta fitojmë atë”, përfundoi Terzic.

Milani ka fituar vetëm një ndeshje të Champions League këtë sezon, në shtëpi kundër PSG. Ata kanë grumbulluar pesë pikë në pesë ndeshje, ashtu si kundërshtari i tyre i radhës, Newcastle.

/GazetaBlic Sport/