Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se videoja e publikuar së fundmi nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, nga veriu i Kosovës është porosi për amerikanët se ai po i injoron akuzat dhe sanksionet e tyre.
Trajkoviq, duke folur për nënkryetarin e Listës Serbë, i cili është i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i cili ende kërkohet nga autoritetet e Kosovës, por edhe në listën e zezë amerikane, citoi video mesazhin e Radojçiqit, i cili tha: “Unë jam këtu dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”!
Trajkoviq është përgjigjur në pyetjen e gazetës “Nova” se çfarë do të thotë kur Milan Radojçiq thotë “po kthehem në Kosovë”.
“Para së gjithash do të thosha se ky është një mesazh për administratën amerikane nga Milan Radoiçiq, njëkohësisht edhe nga shteti serb. Thjeshtë për atë se deklaratën e ka bërë Radojçiq, dhe e shohim vazhdimisht se përfaqësuesit e qeverisë të Serbisë, por edhe Aleksandar Vuçiqi si president, në kontekstin më pozitiv, flasin për njeriun që u fut në listën amerikane të personave që akuzohen për krim, korrupsion, trafik droge dhe armësh. Pra, Vuçiq, Lista Serbe dhe Radoiçiq e injorojnë këtë vendim dhe kundërshtojnë vendosjen e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në atë listë si krimi më i rrezikshëm në rajon”, tha Trajkoviq.
Ndryshe, më 5 korrik Radojçiq përmes një video mesazhi është paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës.
Radojçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC), pretendon se këtë video e ka incizuar në Kosovë shihet duke kërcënuar qytetarët për t’iu bindur grupeve kriminale.


