Lajme

Tragjike: 29 vjeçarja me origjinë shqiptare vritet nga ish-bashkëshorti

10/23/2025 07:37
nga:Y I

Një ngjarje e rëndë e ka tronditur Kanadanë, ku një grua me origjinë shqiptare u vra nga ish bashkëshorti i saj.

Sipas mediave atje, bëhet fjalë për 29 vjeçaren Savannah Kulla.

Rasti tragjik ka ndodhur pasditen e së martes në një parking në qytetin Brampton, në zonën Airport Road dhe Queen Street.

I dyshuari i identifikuar si Anthony Deschepper, pasi e kishte qëlluar ish-gruan e tij e rrëmbeu vajzën e tyre njëvjeçare, për çka menjëherë u alarmuan autoritetet kanadeze duke vënë në funksion “Amber Alert”, një sistem urgjent njoftimi që përdoret për rastet e rrëmbimit të fëmijëve.

Foshnja u gjet më pas e sigurt, pasi ai e kishte lënë pranë të afërmve në rajonin e Niagara-s.

38 vjeçari u vra më pas nga policia mëngjesin e së mërkurës, gjatë përpjekjes për ta arrestuar.

Për ngjarjen tragjike, ka folur nëna e viktimës, e cila për mediat atje deklaroi se vajza e saj kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies për shkak të sjelljes obsesive të ish-partnerit.

“Ishte i çmendur pas saj, deri në pikën e fiksimit. Ajo më thoshte shpesh se duhej të largohej prej tij,” – ka treguar e ëma me lot në sy transmeton Klankosova.tv.

Savannah Kulla ishte nënë e katër fëmijëve, tre djemve dhe një vogëlusheje 1-vjeçare, dhe njihej si një grua punëtore dhe shumë e përkushtuar ndaj familjes.

Autoritetet kanadeze e kanë cilësuar rastin si një vrasje që ka ndodhur për shkak të dhunës në familje, ndërsa lajmi ka tronditur komunitetin shqiptar në Kanada.