Lajme

Tragjedia në Koçan: 19 në paraburgim, tre në arrest shtëpiak

3 ditë më parë
nga:Y I

Gjykata në Koçan ka shqyrtuar gjithsej 22 ankesa të të dyshuarve për zjarrin në diskotekën “Puls” dhe për 19 prej tyre është vendosur që masa e paraburgimit efektiv të mbetet në fuqi, ndërsa tre janë dërguar në arrest shtëpiak.

Këtyre tre personave u janë marrë edhe pasaportat.

“Ndaj ankesave ka vepruar këshilli prej tre gjykatës dhe ka vendosur që për 19 të dyshuar të refuzohet ankesa dhe të mbetet masa e paraburgimit, ndërsa për 3 të dyshuar është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, si dhe është caktuar masa e sigurimit – sekuestrim i përkohshëm i dokumenteve të udhëtimit ose dokument tjetër për kalim të kufirit shtetëror, apo ndalesë për lëshimin e tij”, njoftojnë nga Gjykata Themelore Koçan, raporton Alsat-mk

Nga tre personat për të cilët gjykata e ndryshoi vendimin, prokuroria për dy ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit-Shtip, e cila aktualisht është duke vendosur në lidhje me këtë. Bëhet fjalë për paraburgimet e ish-kryetarëve të Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrov dhe Nikolço Iliev, ndërsa prokuroria nuk ka dorëzuar ankesë ndaj personit të tretë të cilit po ashtu i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ish-drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska. Kryetari aktual i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, mbetet i dyshuar dhe në paraburgim, ndërsa në hetimin e zjarrit që ua mori jetën gjithsej 59 personave deri më tani janë dyshuar 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ata akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike, të cilat dënohen me burgim nga tre deri në maksimum 20 vjet.