Një tragjedi e madhe ka ndodhur në Pietracatella, një qytet në provincën e Campobasso në Itali, ku një vajzë 15-vjeçare dhe nëna e saj humbën jetën brenda pak orësh nga njëra-tjetra.
Dyshimet e para lidhen me një helmim të mundshëm nga ushqimi, pasi familja kishte konsumuar peshk dhe ushqime deti gjatë festave të Krishtlindjeve.
Vajza, Sara Di Vita, ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje, ndërsa nëna, Antonella Di Ielsi, vdiq disa orë më vonë, në mëngjesin e së dielës.
Po ashtu, edhe babai i vajzës, 55 vjeç, ndodhet ende i shtruar në spital me simptoma të ngjashme, ndërsa motra 20-vjeçare e familjes mbeti e shëndoshë.
Pas konsumimit të ushqimeve, të gjithë anëtarët e familjes filluan të ndiheshin keq dhe u drejtuan në urgjencë. Megjithatë, ata u kthyen në shtëpi pasi situata nuk dukej e rëndë.
Më pas, gjendja shëndetësore e vajzës dhe nënës u përkeqësua ndjeshëm, dhe pas disa orësh ata humbën jetën.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të zbardhur shkakun e vdekjes. Deri tani, dyshohet se helmimi nga ushqimi mund të ketë shkaktuar këtë tragjedi, megjithatë, autopsia do të sqarojë nëse ka pasur ndonjë intolerancë të rëndë ndaj ushqimit.
Kryetari i bashkisë së Pietracatella-s, Antonio Tommasone, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të qytetit për këtë humbje të madhe.


