Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit, duke sekuestruar 12 pistoleta dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut.
Si rezultat i operacionit të koduar “Barriera”, u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, poseduesi i armëve.
Operacioni u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas disa javësh hetimesh të kryera me metoda proaktive, në kuadër të parandalimit dhe goditjes së trafikimit të armëve të zjarrit.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin e dyshuar në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës. Gjatë kontrollit të mjetit tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 27-vjeçari, u gjetën të fshehura nën kofano 10 pistoleta Glock me municion luftarak.
Në vijim të procedimit penal, Policia sekuestroi edhe dy pistoleta të tjera Glock, duke e çuar në 12 numrin total të armëve të sekuestruara.
Nga hetimet ka rezultuar se i arrestuari kishte për qëllim shitjen e armëve në zonën e Freskut, në Tiranë, raporton Top Channel.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.


