Sporti

Tottenham triumfon ndaj Everton, Luton e mposht Newcastle

12/23/2023 18:01
nga:Mergim Rreci

Tottenham nuk gaboi në shtëpi dhe mposhti Evertonin me shifrat 2-1.

“The Toffees” mbërrinin në Londër pas katër fitoresh radhazi, por nuk mundën të ruanin ecurinë pozitive përballë vendasve. Vrulli i londinezëve ishte i papërballueshëm teksa Tottenham shënoi dy gola brenda 18 minutave të para.

Ai që zhbllokoi shifrat ishte Richarlison pas një pasimi të bukur nga Brenan Johnson ndërsa nëntë minuta më pas, rrjetën edhe e gjeti edhe Heung Min-Son. Në fraksionin e dytë, Everton shkurtoi shifrat në minutën e 82 me Andre Gomes.

Në vijim, miqtë rrezikuan në disa momente Tottenham, por skuadra e Postecoglou rrezistoi mirë dhe mori fitoren. Pas këtij suksesi (i treti radhazi për Tottenham), londinezët gjenden në vendin e katërt me 36 pikë ndërsa Everton në vendin e 16 me 16 pikë, ndërsa vlen të theksohet se këta të fundit janë penalizuar me 10 pikë për shkak të shkeljes së rregullave të Fair Play financiar.

Në ndeshjen e tjera, Fulham u mposht në shtëpi nga Burnley me rezultatin 0-2, Luton mposhti Newcastle me shifrat 1-0 ndërsa Nottingham Forest-Bournemouth u mbyll me fitoren e miqve 2-3.