Kupa e Botës 2022

“Topi i Artë”, përplasja e radhës për Messin dhe Mbappen

12/20/2022 08:43
nga:Lorik J

Të shënosh 3 gola në një finale të Kupës së Botës, të tregohesh i saktë edhe në goditjen e penalltive, e në fund të mos jesh fitues i botërorit ishte e paimagjinueshme, deri në momentin që diçka të tillë e përjetoi Mbappe.

Fitimi i “Këpucës së Artë” të botërorit, është një ngushëllim që nuk mjafton për 23-vjeçarin i cili bëri gjithçka për të fituar kupën e dytë të botës, por në fund iu desh që të shikonte Argjentinën e veçanërisht Messin që të festonte.

Nuk duhej shumë për të kuptuar që “dashuria” mes Messit dhe Mbappe nuk është aq sa ata e deklarojnë. Në fushën e lojës ishte një betejë e ashpër, një sfidë e cila dukej në çdo moment kur njëri-prej tyre shënonte. Në një finale çdokush do të fitonte, por ftohtësia e Mbappe dhe Messit nuk mund të kalonte pa u vënë re.

Mbape nuk e kishte presionin e triumfit, pasi e arriti këtë sukses në 2018, ndryshe nga Messi që donte me çdo kusht ta fitonte. Në finale të dy ishin protagonistë absolut, por në fund energjia e Mbappe nuk e mundi dot dëshirën e Messit.

Pas finales, të dy do të takohen përsëri tek PSG aty ku do të kërkojnë që tani sëbashku të fitojnë gjithçka, por në mes do të ketë një tjetër përballje mes tyre, Topi i Artë. Mbappe bëri gjithçka siç duhet në aspektin individual, ndërsa në anën tjetër Messi arriti trofeun. Rrjedhimisht të dy do të jenë kandiat për triumfin më të rëndësishëm individual. Tani, situata përmbyset, Mbappe kërkon të parin, ndërsa Messi të tetin.

Për të arritur tek “Topi i Artë” sigurisht do të peshojë dhe ajo çka do të bëjnë tek PSG, tani si shokë skuadre. Champions është i lakmueshëm për të dy, ashtu dhe trofetë e tjerë në Francë, por harmonia e tyre në fushë do të thotë shumë.

12 vite mes Mbappe dhe Messi bëjnë diferencën, me francezin i cili me gjasa do të jetë pasuesi i argjentinasit në rangun e të mirëve, por me dallimin në kohën që ai luan, pasi për historinë do i duhet që të afrohet e të tentojë të thyejë rekordet e numrat e “pleshtit”.

Top Channel