Futbollisti i Newcastle, Sandro Tonali po përballet me një mundësi gjithnjë e më reale për t’u suspenduar për shkak të vendosjes së basteve në ndeshjet e futbollit. Për momentin në media po qarkullojnë informacione se italiani do të sanksionohet me të paktën 12 muaj jashtë fushës, si dhe dënim me kusht.
Mirëpo, asgjë nuk ka përfunduar për të deri në shpalljen e vendimit zyrtar të gjykatës, i cili në këtë fazë pritet të merret në mesin e kësaj jave. Kjo e vë në dyshim serioz pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e së mërkurës në Champions League kundër Borussia Dortmund, përcjell GazetaBlic Sport.
Megjithatë, kurioziteti është se në orët e fundit u shfaq informacioni se Tonali e ka pranuar fajësinë, çka do t’i ulë ndjeshëm dënimin. Jo vetëm kaq, por ai mbrojti edhe shokun e tij të skuadrës në kombëtaren italiane Niccolo Fagioli, i cili ishte i pari që dha lajmin se ishte i përfshirë në aktivitete të lojërave të fatit.
Tonali këmbënguli në gjykatë se “kishte një problem psikologjik me lojërat e fatit dhe se në asnjë moment nuk ka dashur të përfshijë shokë skuadre apo miq”.
/GazetaBlic Sport


