Shefi i asambleistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gezim Svecla, ka akuzuar Përparim Ramën për shkaktimin e tollovisë në tenderin për punimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Sveçla theksoi se tenderi është hapur pa marrë pëlqimin nga autoritetet kompetente për trashëgiminë kulturore në zonë, dhe se operatorët fitues nuk kanë marrë leje për punimet.
“Kjo është edhe ajo që po dëshiron Përparim Rama, tollovi, sepse nëse do t’i kishte respektuar ligjet dhe procedurat, çdo gjë do të ishte e qartë. Aty është hapur një thirrje, një tender për punimin e sheshit, disa operatorë ekonomikë kanë fituar kontratën. Problemi qëndron që në fillim, sepse nuk mundesh të hapësh thirrje, tender, pa marrë pëlqim nga autoritetet kompetente nëse në atë hapësirë ka objekte të trashëgimisë kulturore”, tha Sveçla.
Ai theksoi se veprimet e Ramës kanë pasur qëllim ndërprerjen e punëve dhe krijimin e skemave për përfitues të caktuar, duke dëmtuar buxhetin e qytetit dhe zhvillimin e tij.
“Ata kanë vazhduar me këto procedura, edhe kur operatori ekonomik u shpall fitues, ata nuk kanë marrë leje. Aty ka pasur ankesa nga RTK dhe KTV, sepse iu është pamundësuar qasja në hapësirat ku ata punojnë.”
“Si rezultat i kësaj, inspektorati ka marrë vendim dhe i ka ndërprerë punët. Ky ka qenë edhe qëllimi i Përparim Ramës, pra ndërprerja e punëve. Këto veprime kanë për qëllim skema ku dalin disa përfitues, pastaj ku dëmtohet buxheti i qytetit dhe ku ngec zhvillimi në kryeqytet”, tha Sveçla për GazetaBlic.


