Sporti

Tolaj pasi realizoi dy gola ndaj BATE: Ishte ndjenja më e mirë në karrierë, i gjithë ky sukses vjen nga trajneri Ilir Daja

08/25/2023 18:25
nga:E K

Ballkani ka arritur tjetër fitore të madhe në arenën evropiane.

Skuadra nga Suhareka ka shënuar fitore të rëndësishme në Play Offin e Europa Conference League, duke e mposhtur skuadrën bjelloruse, BATE me rezultat 4-1 në ndeshjen e parë që u luajt dje në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Realizatori i dy golave në ndeshjen e djeshme, Bleart Tolaj ka folur për “GazetaBlic Sport” ku ka treguar emocionet e para pas ndeshjes duke i dhënë meritat e sukseseve të kësaj skuadre trajnerit, Ilir Daja.

“Normalisht, ishte ndjenja më e mirë që kam përjetuar në karrierën time deri më tani. Njenjë fantastike të shënosh para gjithë atyre mbështetësve tanë. Shpresoj që t’i kemi bërë krenar të gjithë.

Rezultati i lojës së parë na jep shpresë të madhe, por asesi nuk duhet të nënvlerësojmë ndeshjen e kthimit. Do të futemi për fitore edhe në Hungari dhe ta arrijmë synimin për të futur në grupe.

I gjithë ky sukses i këtij ekipi normalisht e ka dorën e trajnerit Ilir Daja, i cili na përgatit për çdo ndeshje maksimalisht duke analizuar kundërshtarët në detaje. Me punën e tij, ajo që dikur dukej e pamundur tani është shumë afër të realizohet dy vite me radhë, që një ekip i Kosovës të luajë në fazën e grupëve në një kompeticion evropian”, tha Tolaj për GazetaBlic Sport.