Sporti

Tmerr në shtëpinë e Donnarumma / Hajdutët e lidhin bashkë me të fejuarën e tij dhe u grabisin 500 mijë euro

07/21/2023 11:52
nga:N M

Natë ankthi, paniku dhe frike për portierin e PSG dhe të kombëtares italiane të futbollit, Gianluigi Donnarumma. Ai ka qenë viktimë e një vjedhje me dhunë në shtëpinë e tij, teksa ndodhej bashkë me të fejuarën e tij.

Agresioni ka ndodhur natën mes të enjtes dhe së premtes, lajm që konfirmohet nga mediat franceze. Sipas burimeve policore, Donnarumma dhe e fejuara e tij kanë qenë viktima të një dhune nga ana e hajdutëve, që janë larguar nga shtëpia e portierit pasi kanë vjedhur sende me vlerën 500 mijë euro.

Portieri dhe e fejuara e tij janë lidhur nga hajdutët, por më pas kanë mundur të shpëtojnë dhe të strehohen në një hotel pranë shtëpisë së tyre, rreth orës 03:20 të mëngjesit.

Personeli i hotelit ka lajmëruar më pas policinë, që ka ardhur në asistencë të portierit dhe fejuarës së tij, që janë ende në gjendje shoku e të tronditur nga ngjarja. Donnarumma është shoqëruar në spital pas agresioni, duke pohuar se janë lidhur nga disa persona në apartamentin e tyre. Policia ka nisur hetimet.