Mali i Zi ka njohur pavarësinë e Kosovës qysh më 2008, por herë pas herë në këtë vend vazhdojnë të mohojnë këtë realitet.
Së fundi, ministrja e Shoqërisë Digjitale dhe e Mediave, Tamara Srzentiq, i ka nisur ftesë ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, për pjesëmarrje në Samitin digjital të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nga 11 deri më 13 tetor në Mal të Zi. Por, në ftesë, ministrja malazese në vazhdimësi i është referuar Kosovës me fusnotë prapa, gjë që ka shkaktuar jo pak reagim në këtë vend.
Mediumi “Antena M” e ka quajtur skandal diplomatik.
Për këtë, nuk ka reagim ende reagim zyrtar as nga Qeveria e Malit të Zi e as nga ajo e Kosovës. Ftesa është bërë më 4 gusht, pra para një muaji.
Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.
Ajo nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që ndonjë nga ministrat e Qeverisë së Malit, kryesisht me parti pro-serbe, i referohen Kosovës me fusnotë. Ndodhi edhe vitin e shkuar.