Lajme

Tiranë/ Ndreca betohet në parlament mes zhurmës, miratohen dekretet për ministrat Gonxhe dhe Pirdeni

01/15/2024 19:18
nga:G B

U zhvillua mes kaosit kjo seancë e parë e sesionit të ri parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Siç kishin paralajmëruar, deputetët demokratë bllokuan foltoren dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës. Ata ishin të pajisur edhe me bilbila duke krijuar zhurmë gjatë gjithë seancës plenare.

Por edhe deputetët socialistë vijuan siç patën paralajmëruar me votimin pavarësisht se opozita krijon kaos në parlament.

Mes zhurmës iu desh të betohej edhe deputetit të ri të parlamentit, Plarent Ndreca, i cili zë në Kuvend vendin e Arben Ahmetajt. Këtij të fundit iu dogj mandati pasi mungoi për 6 muaj në punimet e Kuvendit.Gjatë seancës u miratuan edhe dekretet e Presidentit Bajram Begaj. Elva Margariti u shkarkua si ministre e Kulturës.

Ndërkohë Blendi Gonxhja u miratua si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ervin Mete si ministër i Financave dhe Adea Pirdeni si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin./tvklan.al