Orges Shehi vendos të ndryshojë. Në modul dhe emra. Kështu, Tirana do të luajë një 3-5-2, ndërsa në stol mund të ulen Latifi dhe Abazaj. Kaina dhe Haxhiu gradohen titullarë, ashtu si edhe Deliu. Këto janë të rejat bardheblu.
STËRVITJA – Tirana po bëhet gati për sfidën e dytë në Ligën e Konferencës ndaj Beshiktashit. Trajneri Orges Shehi këto ditë po analizon me kujdes kundërshtarin, ndërsa nga dje skuadra është e grumbulluar. Trajneri ka zhvilluar disa analiza video për sfidën e dytë. Skuadra ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit në “Skënder Halili” dhe është grumbulluar në hotel.
DOKA – Albi Doka do të mungojë në takimin me Beshiktashin. Futbollisti ka një paratërheqje, që është e sigurt që nuk e zbret në fushën e lojës, por i rrezikon edhe stolin, duke qenë se klubi kërkon ta ruajë. Në vendin e tij do të luajë Rimal Haxhiu, që ka bërë mirë sa herë është aktivizuar. Të gatshëm janë edhe Mici, e lojtarë të tjerë, pjesë e organikës bardheblu. Nikqi ka pësuar një goditje në këmbë, ndërkohë që edhe ai rrezikon sfidën e dytë.
FORMACIONI – Orges Shehi ka punuar i qetë në “Skënder Halili”. Gjatë këtyre ditëve është analizuar loja e kundërshtarit dhe se si do të rreshtohet Tirana në sfidën e dytë. Me ekipin e parë do të jenë Selmani, Haxhiu, Najdovski, Hoxhallari, Lulaj dhe Përgjoni. Në mesfushë, Lushkja ose Deliu, Jonuzi dhe Hila. Në sulm do të luajnë Kaina si qendërsulmues dhe në krah Hasani. Shehi ka provuar këtë formacion dhe me shumë mundësi do të luhet me dy sulmues. Braziliani Kaina, që këtë sezon ka ardhur nga Vllaznia, tani po që ka vënë kandidaturën e të qenit titullar i padiskutueshëm. Tani është në dorë të trajnerit për të vendosur se kush do të qëndrojë në stol.
PËRFITIMI – Tirana dhe Beshiktashi do të përballen në sfidën e kthimit të turit të dytë të Ligës së Konferencës në Tiranë. Bardheblutë do të luajnë në “Air Albania” më 3 gusht në orën 20:00, ndërsa sfida nuk spostohet në Elbasan. Kualifikimi në turin e dytë të Ligës së Konferencës u ka garantuar bardhebluve 550 mijë euro nga UEFA. Ama bonusi nuk janë paratë e Europës, por ajo që do të fitojë nga sfida me Beshiktashin. Pak a shumë Tirana pret një shifër të mirë nga biletat që do të shiten për ndeshjen. Një tjetër e ardhur për sfidën me Beshiktashin do të jenë të ardhurat nga reklamat në stadium. Po kështu, bardheblutë kanë shitur 300 mijë euro të drejtën e TV-së për sfidën me Beshiktashin.



