Sporti

Tirana “lëviz” për Florent Hasanin, sulmuesi pajiset me pasaportë shqiptare

07/04/2023 08:28
nga:Lorik J

Florent Hasani është në qendër të merkatos së Tiranës. E ardhmja e sulmuesit është pika kryesore ku bardheblutë janë mbështetur këtë sesion. Kosovari është ende nën kontratë më kryeqytetasit ç’ka sjell që largimi i tij të bëhet vetëm në këmbim të parave.

Drejtuesit e kanë bërë të ditur që nuk ulen në tavolinë pa të paktën 500 mijë euro, aq sa është edhe vlera e kartonit të tij në Transfermarkt. Të interesuarit për golashënuesin e Superiores janë të shumtë, duke filluar që nga Azerbajxhani, në Kroaci, Turqi e deri në Arabinë Saudite.

Tirana shpreson për ankand për ta shitur te ofertuesi më i lartë, por ajo që është e sigurt është se Florent Hasani do të largohet pas aventurës europiane. Për këtë kanë lëvizur edhe te zyra ligjore e klubit teksa janë angazhuar që ta pajisin sulmuesin me pasaportën shqiptare. Arsyeja për këtë është sepse marrja e këtij dokumenti i jep atij të drejtën të luaj edhe në shtetet që nuk e njohin Kosovën.