Lajme

Time Kadrijaj kujton ligjin që i obligon ministrat të japin dorëheqje

07/08/2026 13:12
nga:Genita C

Time Kadrijaj, ka theksuar se Neni 26 i Ligjit për Qeverinë obligon çdo anëtar të Qeverisë që zgjidhet deputet të japë dorëheqje para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke përfshirë edhe kryeministrin, raporton GazetaBlic.

Sipas saj, ligji nuk lejon përjashtime dhe zbatimi selektiv i tij cenon sundimin e ligjit, sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Postimi i plotë:

Ligji nuk është çështje interpretimi politik ai është detyrim.

Neni 26 i Ligjit për Qeverinë nuk lë asnjë hapësirë për dilemë. Ai përcakton qartë se çdo anëtar i Qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Kjo dispozitë nuk bën përjashtime. Kryeministri është anëtar i Qeverisë dhe, si i tillë, i nënshtrohet të njëjtit detyrim ligjor si çdo ministër.

Në një shtet demokratik, ligjet nuk mund të zbatohen sipas interesit politik apo sipas personit që ushtron funksionin. Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pa dallim, të respektojë detyrimet që i imponon ligji.
Nëse kërkojmë sundim të ligjit, ai duhet të fillojë nga institucionet më të larta të shtetit. Çdo shmangie nga zbatimi i Nenit 26 krijon një precedent të rrezikshëm, që cenon sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe vetë parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Ligji duhet të respektohet. Jo të interpretohet sipas nevojës politike të ditës