Lajme

Time Kadrijaj ballafaqohet me dëshminë e Mark Shalës i cili ka thënë se e ka parë në Kukës

11/23/2023 17:28
nga:G B

Gjatë dëshmisë së saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarja Time Kadrijaj është ballafaquar me dëshminë e dëshmitarit Mark Shala në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Prokurori Cezary Michhalzcuck i tha dëshmitares së Mark Shala kishte deklaruar se ajo kishte shkuar në Kukës ku kishte drekuar së bashku me Nasim Haradinajn dhe Milaim Zekën pasi ky i fundit ishte plagosur.

“Mark Shala ka dhënë dëshmi se ai ka thënë që një moment e dinte që u bombardua në Koshare dhe u plagos Milaim Zeka dhe e quan për trajtim në Kukës, pra Mark Shala e dinte që edhe vetë Milaim Zeka kishte thënë se e quan në Kukës për trajtim. Mark Shala ka dhënë dëshmi se iu ka parë ju në uzinën mekanike të Kukësit bashkë me Milaim Zekajn dhe Nasim Haradinajn për të cilin ju thatë më herët që e njihnit dhe që po ashtu edhe ai ka qenë në Koshare, keni ngrënë drekë bashkë.”, tha prokurori.

Mirëpo, dëshmitarja Kadrijaj tha se nuk qëndron ajo se çfarë ka thënë Mark Shala.

“Ne kemi qenë mjekë të vijave të para të frontit, detyra jonë ka qenë tua jepim ndihmën e parë aty për aty dhe me pas të tjerët janë marrë dhe nuk kemi pas informacione se ku janë dergu. Nuk qëndron ajo. Z.Markun kam mujtë me e taku kudo në Koshare, në Papaj në Badesh, në Kosovë, por nuk e kam takuar Markun në Kukës. Ndoshta Markun e kam taku diku tjetër, por jo në Kukës”, tha Kadrijaj.

Ndërsa për rolin e Nasim Haradinajt në luftë, Kadrijaj tha se nuk e di.

‘E di rolin tem qe kam qenë si mjeke, por hierarkinë që ka qenë në Koshare nuk e di”, tha Kadrijaj.

Ndërsa për disa pyetje tjera, seanca kaloi në sesion privat për publikun. Por pas hapjes së saj, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se i akuzuari Pjetër Shala është largu nga ambienti ku ishte me video lidhje dhe vendosi për një pushim të shkurtër për tu kthyer prapë dhe për të vendosur se si do të shkohet tutje.