Geek

TikTok gjobitet me 15.9 milionë dollarë

04/04/2023 13:57
nga:N M

TikTok është gjobitur me 15.9 milionë dollarë për dështimin në mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve, ka thënë mbikëqyrësi i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar.

Një hetim i kryer nga Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO), ka zbuluar se aplikacioni për shpërndarjen e videove shkel ligjin për mbrojtjen e të dhënave, duke shtuar se shkeljet kanë ndodhur midis majit 2018 dhe korrikut 2020.

Në shtator, ICO-ja i dërgoi TikTok-ut një njoftim, i cili e paralajmëronte për dhënien e një gjobe të mundshme.

ICO vlerëson se TikTok-u lejoi deri në 1.4 milionë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar nën 13-vjeç të përdorin platformën e tij në vitin 2020, pavarësisht rregullave që nuk lejojnë fëmijët e kësaj moshe të krijojnë llogari.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar thotë se platformat që përdorin të dhëna personale kur ofrojnë informacion për fëmijët nën moshën 13-vjeçare duhet të kenë pëlqimin e prindërve.

Komisioneri për informacion, John Edwards, ka thënë se “ka ligje në fuqi që sigurojnë që fëmijët tanë të jenë po aq të sigurt në botën digjitale – sa janë në botën fizike. TikTok nuk iu përmbajt këtyre ligjeve”, raporton AP.

“Si pasojë, rreth një milion fëmijëve nën moshën 13-vjeçare iu dha qasje në mënyrë të papërshtatshme në platformë, dhe TikTok-u mblodhi dhe përdori të dhënat e tyre personale. Kjo do të thotë se të dhënat e tyre mund të jenë përdorur për t’i gjurmuar dhe për t’i profilizuar ato, duke ofruar potencialisht përmbajtje të dëmshme dhe të papërshtatshme”.

“Gjoba jonë prej 12.7 milion funtesh (15.9 milionë dollarë) pasqyron ndikimin serioz që mund të kenë pasur dështimet e tyre””, ka thënë ai.