Lajme

“Tik Tak” – Kuvendi i Berishës dhe agjenda e tij

12/11/2021 08:59
nga:M K

Pas tre muajsh të foltoreve me simpatizantët e tij demokratë, Sali Berisha do të zhvillojë në stadiumin “Air Albania” Kuvendin ku në pikën e tij kryesore, do të jetë edhe ai që pretendohet si shkarkim i kryetarit aktual demokrat, Lulzim Basha, nga posti drejtues i forcës politike.

Skenografia është gati dhe një plate e veçantë për delegatët është përgatitur në anën lindore të stadiumit. Berisha e quajti atë edhe si platea e delegeatëve.

Sakaq, mundësi për të hyrë do të kenë edhe simpatizantët e thjeshtë, por në katet e sipërme të stadiumit.

Identifikimi i delegatëve pritet të bëhet nëpërmjet një pajisjeje elektronike digjitale. Ata janë pajisur me një barkod, të cilin do ta skanojnë me hyrjen e tyre në stadium.

Ekrani i madhe i vendosur në qendër të stadiumit, pritet të shfaqë të dhënat e secilit delegat, kur ai regjistrohet. Kështu do të bëhet transparente edhe për median anëtarësia e PD-së e pranishme në Kuvend.

Në çastin kur numri i 1 mijë e 800 delegatëve të nevojshëm për të thirrur Kuvendin të plotësohet, mbledhja do të quhet e hapur. Nga ana tjetër, kur numri i tyre të kalojë 4 mijë, do të nisin diskutimet statutore.

Të gjithë delegatët do të jenë të pajisur me një draft paraprak për diskutimet e ndryshimeve.

Fjala hapëse pritet të mbahet nga kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Më pas, pritet të lexohen ndryshimet e propozuara, mes të cilëve edhe ai që njihet si “neni Basha”.

Nëpërmjet tij, kryetari i partisë sanksionohet në rast të humbjes së zgjedhjeve, me dorëheqje.

Berisha pritet të ngjitet më pas në podium, për të kërkuar edhe një mocion mosbesimi ndaj Bashës dhe për ta shkarkuar atë. Ndërsa, pas mbledhjes, mundësia ekziston për një marshim, i cili do të vendoset nga organizatorët nëse do të ndodhë apo jo. /AlbanianPost