Sporti

Tijjani Reijnders pranë largimit nga Manchester City

08/13/2026 16:10
nga:Mergim Rreci

Tijjani Reijnders mund të largohet nga Manchester City vetëm një vit pas transferimit të tij nga Milani.

Mesfushori holandez është objektiv i klubit saudit Al-Qadsiah, i cili ka hyrë në negociata të avancuara për transferimin e tij.

Sipas raportimit të Dsport, bisedimet mes Manchester Cityt dhe Al-Qadsiah, si dhe ato mes klubit saudit dhe vetë lojtarit, janë duke vazhduar. Palët shpresojnë që marrëveshja të arrihet gjatë ditëve në vijim.

Reijnders iu bashkua Manchester Cityt vetëm një vit më parë, pasi kampionët e Anglisë e transferuan nga Milani për 46.5 milionë paund. Holandezi kishte firmosur kontratë deri në vitin 2030, pasi ishte shpallur mesfushori i vitit në Serie A.

Megjithatë, e ardhmja e tij në “Etihad” është vënë në dyshim pas transferimit të Elliott Anderson nga Nottingham Forest gjatë kësaj vere. Për Reijnders interesim ka shfaqur edhe ish-klubi i tij, Nottingham Forest.

Në sezonin e tij të parë me Manchester Cityn, 28-vjeçari regjistroi 47 paraqitje, duke shënuar pesë gola dhe dhuruar dy asistime.

Nëse negociatat përfundojnë me sukses, Reijnders mund të jetë një tjetër emër i madh që i bashkohet kampionatit saudit, vetëm 12 muaj pas kalimit të tij në Premier League.

/GazetaBlic Sport/