Sporti

Tifozët “sulmojnë” tenistin: A të vjen turp që je rus?

03/04/2022 17:34
nga:E K

Danil Medvedev, i cili zyrtarisht është tenisti më i mirë në botë që nga kjo e hënë, ka hequr nga profili i tij në Instagram fotografinë e profilit me flamurin rus.

Shumë tifozë rusë nuk e pranuan lëvizjen e bashkatdhetarit të tyre, ndaj profili i tij tashmë është mbushur me akuza se është “tradhtar i atdheut” dhe pyetje të tipit “a ke turp që je rus?”.

Kujtojmë, Medvedev ishte një nga atletët e parë rusë që foli me një qëndrim të qartë kundër luftës ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Në ditën e parë të pushtimit, Medvedev tha: “Unë jam një sportist dhe jam i përkushtuar për paqen botërore. Më vjen keq që po i shikoj të gjitha këto që ndodhin. Unë jam duke luajtur një turne në Acapulco dhe në mëngjes më përshëndesin lajmet për gjithçka që po ndodh. Unë jam për paqen”, përcjell GazetaBlic Sport.

Megjithatë, duket se vendimin për heqjen e flamurit të atdheut nga Instagrami i tij nuk e ka marrë vullnetarisht, por nën presion. Presidenti i Federatës Ruse të Tenisit Shamil Tarpishchev shpjegoi veprimin e tij: “Nuk kam folur ende me Danilon. Por tani Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po ndalon përdorimin e flamurit tonë rus. Edhe në rrjetet sociale. Kjo ishte një masë e nevojshme“.

Për momentin, kampi i tenistit refuzon të komentojë vendimin. Kur Medvedev depërtoi në krye të renditjes së ATP-së, ai u urua nga shumë bashkatdhetarë të njohur si sulmuesi Alexander Kerzhakov, por duket se ai humbi disa nga tifozët vendas.

/GazetaBlic Sport/