Sporti

Tifozët e Inter paralajmërojnë Lukakun: Ike si hajdut, bëhu gati për pritjen që meriton!

10/24/2023 15:16
nga:Mergim Rreci

Tifozët e Inter nuk e falin Romelu Lukakun për atë lëmsh që shkaktoi në verë.

Fillimisht, belgu pritej të rikthehej në skuadrën zikaltër, por më pas sulmuesi devijoi dhe shqyrtoi mundësinë për të kaluar te Juventus ndërsa në fund përfundoi te Roma. Në këtë fundjavë, Roma do të luajë në San Siro ndaj Inter dhe tifozët zikaltër në një deklaratë të fundit theksojnë se Lukaku do të marrë pritjen që meriton.

“U kthye dhe i dhuruam besim sepse besuam shumë në fjalët e tij, por përfundoi duke gabuar sërish. Pas finales së Champions foli fjalë të bukura, na siguroi se duhej të qëndronim të qetë sepse do të rikthehej sërish e që do fitonim sërish.

Por, iku nga Milano si një hajdut pa iu përgjigjur edhe shokëve të skuadrës. Lautaro dhe mbi të gjitha Dimarcos që janë si vëllezër dhe që ka kaluar shumë kohë me ta, ndoshta edhe më shumë se me familjen e tij”, shkruajnë në reagimin e tyre në rrjetet sociale tifozët e Inter.