Arsenali është sërish në qendër të polemikave. Përveç thashethemeve për interesin për Viktor Gyokeres , klubi londinez është tani afër zyrtarizimit të blerjes së Noni Madueke nga Chelsea. Një transferim me vlerë rreth 55 milionë funte, ka shkaktuar një valë pakënaqësie midis tifozëve të Gunners.
Anësori 23-vjeçar, i cili aktualisht luan për Chelsean në Kupën e Botës për Klube, është larguar tashmë nga kampi stërvitor për t’u rikthyer në Londër dhe për të përfunduar transferimin. Megjithatë, reagimi i tifozëve nuk ka qenë i shkëlqyer: mbi 4,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion në Change.org kundër transferimit të tij, ndërsa pranë stadiumit Emirates janë shfaqur grafite me mbishkrimin “ArtetaOut”.
Rio Ferdinand e ka mbrojtur publikisht Madueke-n . Ish-legjenda e Manchester United, në një postim në X, e dënoi ashpër qëndrimin e disa tifozëve: “Është turp që një futbollist i ri anglez po poshtërohet pikërisht kur duhet të festojë një transferim kaq të rëndësishëm.”
“Vendoseni veten në vendin e tij, ose në vendin e prindërve të tij. Ne kemi nevojë për mbështetje, jo për urrejtje të panevojshme. Shpresojë që Madueke t’u përgjigjet kritikave me performanca të denja për vlerën e tij”, shkroi Ferdinand.
/GazetaBlic Sport


