Skuadra e Milanit njihet për numrin e madh të tifozëve që ka në vendin tonë.
Një numër jashtëzakonisht i madh i adhuruesve të futbollit në Kosovë janë edhe tifozë me gjigantin italian, të cilët shpresojnë që sonte të festojnë në finalen e Superkupës ndaj Interit.
Në mesin e shumë tifozëve rossonerë është edhe portieri i mirënjohur, Ilir Avdyli, i cili këtë skuadër e ka favorite prej më shumë se dy dekadash.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tregon se si vendosi të simaptizonte ngjyrat kuq e zi dhe se cilët ishin futbollistët e perferuar ndër vite.
“Përveç si profesion, futbolli është edhe pasioni im. Unë jam tifoz i Milanit që një kohë të gjatë, që nga fillimi i vitit 2000, kur televizionet tona filluan me transmetimet e ligave më të forta evropiane. Milani në atë kohë kishte emra të mëdhenj si Maldini, Boban, Albertini dhe një yll në ardhje në ato vite si Shevchenko, por edhe emra të tjerë ndër vite si Nesta, Kaka, Prilo, Seedorff, Inzaghi, Dida, të cilët ndikuan që ekipi të ishte në majat e futbollit në kontinentin e vjetër. Duke marrë parasysh pozicionin tim në fushë, lojtari i preferuar i Milanit ka qenë dhe mbetet portieri brazilian Nelson Dida”, tha fillimisht ai.
Më pas, Avdyli komentoi edhe super ndeshjen që zhvillohet sonte, ku tha se e sheh favorite skuadrën e Interit, pavarësisht se finalet janë shumë vështirë të parashikueshme.
“Sa i përket ndeshjes së Superkupës kundër Interit, ‘Neruazzurët’ janë kundërshtar shumë të fortë që e kanë dominuar Milanin vitet e fundit dhe duke parë ndryshimet e fundit në stolin kuqezi, mendoj pa dyshim që Interi është favorit. Megjithatë, finalet janë ndeshje që vështirë të parashikohen, shpresoj se Milani do të festojë”, vazhdoi tutje Avdyli.
Kujtojmë që në vitin 2017, derisa ishte pjesë e skuadrës së Shkëndijës, portieri kosovar, Ilir Avdyli ishte përballur me skudrën e zemrës, AC Milan, në Europa League.
“E kisha ëndërr të vizitoja ‘San Siron’ për të parë Milanin nga afër, por deshi Zoti që shorti i play-off-it të Europa League të ishte ndeshja Milan-Shkendija. Emocionet ishin të papërshkrueshme kur përballesh me skuadrën që ke bërë tifo që nga fëmijëria, duke takuar nga afër legjendat dhe lojtarët e klubit, rreth 70 mijë tifozë në stadium. Për mua është një moment i paharrueshëm stërvitja para ndeshjes në stadiumin ku prej vitesh luajnë emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/