Ka lëvizur përpara për një pozitë, por pikët i ka të njëjta me vitin 2022.
Indeksi për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, në pjesën për Kosovën, nuk ka mohuar progresin por ka evidentuar problematikën e ecjes së ngadaltë përpara.
Në veçanti, është përmendur jetësimi i reformave në drejtësi.
“Në mënyrë që të ndërpritet pandëshkueshmëria e korrupsionit, TI dhe ne si KDI vlerësojmë se është e domosdoshme që Qeveria t’i garantoj pavarësi, resurse dhe transparencën e nevojshme sistemit të drejtësisë në mënyrë që të gjitha rastet e korrupsionit të ndëshkohen dhe në anën tjetër që të ketë balance në mes pushteteve si forma e vetme për të pasur një luftë efikase kundër korrupsionit”, tha Eugen Cakolli, (KDI).
Por nga Ministria e Drejtësisë thonë se bëhet fjalë për muaj të tërë pritjeje për vendime nga Gjykata Kushtetuese.
“Konsideroj që çka do që është duke u varur nga Qeveria e MD, ne jemi në afatet tona dhe obligimet tona jemi duke i kry në përputhje me këto afate. Mirëpo jo gjithçka po varet nga MD e Qeveria. E dini se kishte marrur kohë prej 6 muajsh konsultimi me komisionin e Venecias, më shumë se 10 muaj me Kushtetuesen kishte vonuar ta nxjerr një aktgjykim dhe tërë kjo natyrisht se ka një pasojë, e ngadalëson reformën”, tha Genc Nimoni, shef i kabinetit të MD-së.
Njëri nga ligjet e përmendura edhe në indeks pritet të realizohet gjatë vitit.
“Reforma në KPK që kishte marrë kohë shumë në Kushtetuese, më shumë se nëntë muaj, mendojmë se do kompletohet gjatë këtij viti sepse tashmë kemi rekomandimet nga opinionet e Venecias dhe vendimin e Kushtetueses. Brenda këtij viti do përfundojë kjo reformë. Sa i përket vetingut, siç përmenda, ne jemi në rrugën e duhur”, shtoi ai.
Në indeksin për Perceptim të Korrupsionit, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor më së miri qëndron Mali i Zi, pasuar nga Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova, prapa ka lënë Shqipërinë, Serbinë e Bosnjë e Hercegovinën.