Lajme

Thirrja e Kurtit për vota/ Pantina: Qytetarët s’kanë mirëqenie, pse të votohet VV-ja

09/16/2024 13:42
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme, duke u kërkuar që ta tejkalojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.

“Tani për të dalë te zgjedhjet që kemi përpara: nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për t’u përgatitur për zgjedhje se sa tani. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani. Andaj edhe rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet, e të tejkalohet”, shkroi ai dje në Facebook.

Lidhur me këtë, anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se qytetarët e kanë lehtë të vlerësojnë punën e qeverisë, duke matur mirëqenien që e kanë në familjet e tyre.

“Qytetarët besoj e kanë të lehtë të vlerësojnë punën e kësaj qeverie, mjaftuan që të matin mirëqenien e familjeve të tyre. P.sh me pagat që kanë sot a mund t’i blejnë të njëjtat produkte dhe shërbime që kanë bërë para 4 viteve, a është cilësia e arsimit për fëmijët e tyre më e mirë se para katër viteve apo vetëm se ka rënë, a janë shërbimet shëndetësore më të mira apo janë përkeqësuar, a ka siguri më të madhe sot se para katër vitesh, pra a ka rënë apo është rritur numri i vrasjeve e krimeve tjera, a është përmirësuar infrastruktura, a ka pasur investime të reja që kanë rezultuar në hapje të vendeve të punës”, thotë ajo.

Pantina shton se përgjigja e të gjithë këtyre është JO dhe s’ka pse të votohet Lëvizja Vetëvendosje.

“Besoj se përgjigja në këto pyetje është JO. E vetmja rritje e shënuar në këto katër vitet e qeverisjes është numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, prandaj pse duhet të votohet edhe njëherë VV”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/