Lajme

Thirri seancë të jashtëzakonshme, por vetë nuk shkoi – Opozita, Përparim Ramës: Tallje me qytetarët

11/24/2024 22:17
nga:N K

Të premten, Komuna e Prishtinës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, por në këtë seancë ka munguar kryetari i kësaj komune, Përparim Rama.

Ky është rasti i tretë radhazi që buxheti për vitin 2025 dështon në këtë komunë.

Opozita e konsideron të çuditshme dhe të pakuptueshme mungesën e kryetarit.

“Qysh në fillim të seancës u ballafaquam me një situatë të paparë dhe të pa ndodhur më parë. Kryetari Rama, përkundër se vet e ka ftuar seancën, nuk ishte i pranishëm aty. Kjo për ne ishte mjaft e çuditshme dhe e pakuptueshme. Për ta trajtuar dhe për ta votuar vendimin më të rëndësishëm që mund ta marrë një kuvend komunal, e që është buxheti, mungonte sponsorizuesi i atij buxheti, autoriteti më i lartë në komunë, kryetari i kryeqytetit”, deklaroi për GazetaBlic, shefi i asambleistëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla.

E për mungesën e kryetarit janë pyetur dy nënkryetarët e kësaj komune, Jehona Lushaku dhe Alban Zogaj, por sipas Sveçlës të dy nuk kishin përgjigje.

Por, më pastaj për mosprezencën e tij njoftoi drejtoresha e Financave, që sipas saj ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sveçla shton se kjo mungesë e tij nuk ka logjikë dhe nuk është korrekte.

“Kjo sjellje, kjo mendësi, është tallje me asambleistët komunal, të të gjitha subjekteve politike, dhe është tallje me qytetarët e Prishtinës.  Nuk ka logjikë institucionale e politike, por nuk është as korrekte dhe e ndershme, me ftu seancë të jashtëzakonshme e mos me marrë pjesë në të”, potencoi ai.

Ndryshe, ai kritikon ashpër mënyrën e modelit të kësaj qeverisje.

“Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që pushtetit dështon në seancat që vet i fton. Kjo ndodhi edhe në seancën e fundit të rregullt kur nuk erdhën as LDK-ja e as kryetari. Ky është modeli qeverisës që e ka instaluar LDK-ja në Prishtinë tash e 3 vite, dhe kjo është mendësia të cilën po duan ta ngrisin edhe në nivel qendror, pasi që shumica e drejtorëve të Komunës së Prishtinës tashmë janë nominuar si kandidatë për deputetë”, tha ndër të tjera, shefi i asambleistëve nga radhët e LVV-së.

Seanca e plotë:


/GazetaBlic/