Lajme

Themelohet Instituti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës

05/16/2024 20:08
nga:Y I

Ditën e enjte në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, u themelua zyrtarisht Instituti i Antropologjisë, në kuadër të Departamentit të Antropologjisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Instituti i Antropologjisë synon të avancojë hulumtimet shkencore antropologjike, të rrisë bashkëpunimin shkencor dhe profesional me institucione hulumtuese, vendore e ndërkombëtare, brenda e jashtë Kosovës, të krijojë dhe të intensifikojë bashkëpunimin me institucionet shtetërore, sektorin publik, sektorin joqeveritar dhe sektorin privat për çështje të antropologjisë aplikative dhe trashëgiminë kulturore, të krijojë forum për diskutim/debat akademik mbi antropologjinë, të ofrojë hulumtim, analizë dhe interpretim për politikat publike të vendimmarrësve lokalë, nacionalë dhe ndërkombëtarë dhe të ofrojë ekspertizë në dokumentimin, restaurimin dhe konservimin e trashëgimisë kulturore, shkruan UP-ja.

Po ashtu, Departamenti i Antropologjisë është përfitues i grantit University Support Grant, të financuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe administruar nga KUSA – Kosovo United States Alumni, për themelimin e Institutit të Antropologjisë.

Stafi i Departamentit të Antropologjisë, i prirë nga profesori Arsim Canolli, është duke realizuar projektin për përgatitjen e gjithë dokumentacionit të institutit, përfshirë politikat kërkimore, strategjinë e zhvillimit, udhëzimet e standardet profesionale, identitetin vizual e promovues të institutit e prezencën online.

Instituti do të ketë zyrën në Fakultetin Filozofik dhe do të inaugurohet në tetor 2024.