Lajme

Themelimi i dy komisioneve hetimore për energjinë, Ejupi: Pritet që në publik të dalin disa të vërteta të padëgjuara kohë më parë

05/05/2022 17:12
nga:Q R

Drejtori në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, duke komentuar themelimin e dy Komisioneve Hetimore për energjinë, vlerëson se gjatë procesit pritet që në publik të dalin disa të vërteta, të cilat sipas tij, nuk janë dëgjuara kohë më parë, shkruan GazetaBlic.

Ejupi derisa flet për themelimin e këtyre komisioneve, shprehet i bindur se opinioni publik do të njoftohet rreth proceseve që e kanë përfshirë sektorin e enrgjisë 14 vitet e fundit.

“Mirë që janë themeluar, tani gjatë procesit presim që në publik të dalin disa të vërteta që disa nga ne i kemi ditur, por edhe disa që nuk i kemi ditur, duke pas parasysh që në të kaluarën komisioni hetimor për telekom na ka ofruar shumë të dhëna. Besoj që edhe këtë herë opinioni publik do të njoftohet rreth proceseve që e kanë përfshirë sektorin e enrgjisë në vitin e kaluar (komisioni i parë) si dhe 14 vitet e fundit (komisioni i dytë)”, deklaron ai për GazetaBlic.

Dy komisionet hetimore për energjinë, të propozuara njëri nga opozita e tjetri nga pushteti janë votuar sot.

Komisioni Hetimor me pikat e propozuara nga opozita është votuar me 93 vota për, kjo pas marrëveshjes që grupet parlamentare kanë bërë pas një tensioni që u shkaktua në Kuvend. Kryetar i këtij komisioni do të jetë Driton Selmanaj i LDK-së.

Ndërkaq Komisioni Hetimor i pushtetit i cili synon t’i hetojë keqpërdorimet në energjinë elektrike që nga viti 2006 është votuar me 95 vota. Kryetar i saj do të jetë Hajdar Beqaj i PDK-së.

Zyrtare: Me 93 vota themelohet komisioni hetimor i opozitës