“Kurti mund të shkojë në Bruksel kur të dojë, i uroj rrugë të mbarë’, tha sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Kurti për deklaratën: “Nuk do të shkojë në Bruksel për të negociuar çështjen e targave, por për hir të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, raporton GazetaBlic.
Lidhur me këtë Gazeta Blic ka kontaktuar me njohës të çështjeve politike, të cilët thanë se kjo deklaratë e Vuçiqit po tregon se, Serbia nuk dëshiron dialog me Kosovën.
Profesori universitar, Dorajet Imeri thotë se Serbia dëshiron me çdo kusht themelinin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, teksa shton se kjo është edhe arsyeja që Vuçiq po pengon çështjen e dialogut dhe takimet e Brukselit.
“Përmes këtij qëndrimi, Serbia është e interesuar të pengojë zhvillim normal me negociatat me Kosovën, teksa dëshiron që me çdo kusht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që pastaj të mund të fillojë diskutimi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila për Serbinë, nuk do të nënkuptonte në asnjë rrethanë njohje”, tha Imeri.
Imeri thote se synimi i Serbisë është të shmanget njohja e Kosovës, por të themelohet asociacioni.
Këtë Imeri e quan pasqyrë të shtetit serb, dhe plani i Serbisë sipas tij është që pas 10 vitesh nëse formohet Asociacionit, të kërkohet një konsensus i ri për njohjen e vendit tonë.
“Nëse shikohet me vëmendje, Serbia ështe e interesuar që fillimisht të themelohët Asociacioni, dhe të shmanget njohja e pavarësisë së Kosovës. Pastaj pas 10 vitesh, Serbia do të kërkonte një konsensus të ri për të njohur pavarësinë. Kjo është pasqyra e re me të cilën, Serbia dëshiron të operojë në stadin fillestar”, tha Imeri për GazetaBlic.
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se me deklaratën e fundit të Vuçiqit ka dyshime të reja edhe për planin franko-gjerman.
“Me deklaratën e presidentit të Serbisë, po vërehet qartë që Serbia në asnjë mënyrë nuk është e gatshme për dialog dhe ka dyshime që plani franko-gjerman nuk do të jetë në tavolinë, sepse palës nuk po i pëlqen”, tha Arifi.
Arifi për GazetaBlic, bën thirrje që BE-ja të gjejë një model tjetër për dialogun Kosovë-Serbi.
“Ata nuk po dëshirojnë dialog, por po i referohen rezolutës 1244 që është aktuale në Kombet e Bashkuara, por në realitet është jo valide. Përveç SHBA-ve, edhe BE-ja duhet të gjejë një model tjetër se si të mbyllet kjo çështje”, tha Arifi për GazetaBlic.
Analistja politike, Shqipe Pantina thotë se deklarata e Vuçiqit është problem për qytetarët e Serbisë, sepse ai po i mashtron qytetarët.
“Unë kam shumë mospajtime me qeverinë e kryeministrit, duke përfshirë edhe mënyrën e menaxhimit të dialogut, por këtë herë jam dakord që dialogu të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare. Këtë ia kemi kërkuar qeverisë që në fillim të mandatit të saj dhe është mirë që më në fund kryeministri ta ketë kuptuar”, tha Pantina.
“Sa i përket deklaratës së Vuçiqit, nuk është hera e parë që ai deklaron diçka tjetër, por bën diçka tjetër. Ky duhet të jetë problemi i qytetarëve të Serbisë që presidenti i tyre i mashtron. Vuçiq dhe Kurti do të shkojnë në Bruksel sa herë t’i ftojnë ndërmjetësuesit”, shtoi Pantina.
Pantina bën thirrje që procesi i dialogut për marrveshje finale të arrihet sa më shpejt, sepse sipas saj do të hapte rrugë që Kurti të merret edhe me problemet reale të vendit.
“Procesi i dialogut tani ka arritur në kilometrat e fundit të një maratone shumë të gjatë dhe neve si qytetarë të Kosovës na takon të kërkojmë nga qeveria dhe kryeministri që ta finalizojnë procesin dhe t’i hapin rrugën rimëkëmbjes së vendit duke u marrë me probleme reale, duke nisur nga shëndetësia, e cila prej disa muajsh është pa ministër”, tha Pantina për GazetaBlic.
/GazetaBlic/